KOMPETENCAT E GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË DHE RASTI MAQEDONO-GREK





Nga ROMARJO XHEMALI

Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit, e krijuar më 1899 në Hagë, është hapi i parë drejt themelimit të një gjykate ndërkombëtare me karakter të përhershëm. Vlen të theksohet se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit se të përhershme ka pasur vetëm Byronë Ndërkombëtare dhe një listë të arbitrave, njohës të kualifikuar të së drejtës ndërkombëtare. Nga lista e përgjithshme e këtyre arbitrave, shtetet e interesuara mund të zgjidhnin, me marrëveshje, arbitra për të shqyrtuar mosmarrëveshjen midis tyre. Shikuar nga ky aspekt, kjo gjykatë nuk ka qenë e përhershme, sepse trupi i arbitrave, në shumicën e rasteve, e përbënin personat e ndryshëm. Shtetet vendosnin lirisht se kujt arbitri ose cilëve arbitra do t’ia besonin zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Përpjekjet për krijimin e një gjykate me karakter të përhershëm, vazhduan edhe pas Konferencës së Hagës (1899). Në Konferencën e dytë të Hagës (1907), një iniciativë e këtillë rezultoi e dështuar për shkak të mospajtimeve, që qenë shfaqur gjate përpilimit të projektit të konventës lidhur me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve. 

Pra, deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, nuk kishte nuk ndonjë veprim konkret sa i takon krijimit të një gjykate ndërkombëtare të përhershme të drejtësisë. Krijimi i një gjykate ndërkombëtare, do të bëhej realitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Statuti i Lidhjes së Kombeve, në nenin 14, parashihte themelimin e një gjykate ndërkombëtare. Këshilli i Lidhjes së Kombeve, në vitin 1920, caktoi një grup juristësh, të cilët kishin për detyrë të përgatisnin projekt-propozimin e statutit të gjykatës. Ky projekt, u miratua nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve dhe Asambleja e Lidhjes së Kombeve. Gjykata e Përhershme e Drejtësisë Ndërkombëtare, ka funksionuar prej vitit 1922 deri në vitin 1940, kur gjermanët okupuan Holandën. Gjatë kësaj kohe, Gjykata ka marrë 31 vendime (rasti Wimbledon 1923; rasti Mavromatis, 1924; rasti Chorzov, 1927; rasti Lotus, 1927; rasti i Grënlandës Lindore, 1933; etj) dhe 27 mendime konsultative që u referoheshin urdhëresave: mbi shtetësinë në Tunizi dhe Marok Britania e Madhe- Franca); mbi statusin e Karelisë Lindore (Finlandë-Rusi Sovjetike); mbi kishën Shën-Naumit (JugosllaviShqipëri, 1924) mbi këmbimin e popullatës greke dhe turke (Greqi-Turqi); mbi kufirin rreth Mosulit etj. 

Vendimi për shpërndarjen përfundimtare të Gjykatës është marrë nga Asambleja e Lidhjes së Kombeve, në mbledhjen e saj të fundit, në vitin 1946.94 Gjykata e Përhershme e Drejtësisë Ndërkombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore, do të zëvendësohet me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila sipas nenit 92 të Kartës së OKB-së, konsiderohet si “organ kryesor gjyqësor” i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përgjithësisht, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është vazhdimësi e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare, sepse Statuti i GJND-së, është përpiluar në bazë të Statutit të GJPDN. Juridiksioni i detyrueshëm i GJPDN, transferohet në GJND. Edhe ndërtesa ku ndodhej selia e GJPDN-së , arkivi i saj, kaluan në GJND. 

GJND-ja, në ditët e sotme po luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe evoluimin e së drejtës ndërkombëtare. Ajo luan një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që shfaqen midis shteteve, si dhe jep mendime këshillëdhënëse në pyetjet që i adresohen asaj nga organet e OKB-së. Që nga krijimi i saj si organ gjyqësor që vepron në kuadër të OKB-së, rritja e numrit të ankesave drejtuar gjykatës nga ana e shteteve, roli i saj në sistemin ndërkombëtar po ndryshon nga roli që dikur kishte ky organ. Mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve, të një interesi të veçantë, i jepen për shqyrtim Gjykatës. (Jo gjithmonë në Gjykatë trajtohen të gjitha mosmarrëveshjet, që shfaqen mes shteteve. Shtetet mundet që mosmarrëveshjen të mos ia paraqesin Gjykatës, dhe të zgjedhin metodë tjetër për të trajtuar problemin). Po kjo nuk do të thotë se zbehet roli dhe ndikimi i saj. Edhe pse, shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, shpeshherë kanë ndikuar gjatë zgjedhjes së gjyqtarëve, kjo nuk e ka zbeh rolin e Gjykatës. Që nga viti 1945 e deri më sot, është përmirësuar ndjeshëm përbërja gjeografike dhe politike e gjykatësve. Megjithatë, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit tentojnë të kenë anëtarë nga shteti i tyre në Gjykatë. Po të shihet përbërja e gjykatës, shihet se gjithmonë këto shtete kanë pasur vazhdimisht anëtarë në Gjykatë nga shteti i tyre. Parë në perspektivë, GJND-ja mund të mbajë emrin e një institucioni me peshë në sistemin ndërkombëtar, përderisa ajo të llogaritet si Gjykatë profesionale dhe e paanshme. Vetëm kështu, ajo do të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që shfaqen midis shteteve. 

Si instance me e lartë e drejtësisë ndërkombëtare, GJND-ja për detyrë kryesore ka zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare që shfaqen midis shteteve. Shtetet si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, mund t’i drejtohen Gjykatës. Kjo e drejtë u njihet të gjithë shteteve, pavarësisht a janë anëtarë të OKB-së ose jo, mjafton që të jenë palë e Statutit të GJND-së. Kushtet për t’u bërë palë e Statutit të GJND-së për një shtet, që nuk është anëtarë i OKB-së, i përcakton Asambleja e Përgjithshme me rekomandim të Këshillit të Sigurimit për çdo rast veç e veç. San Marino, Zvicra, Japonia, Lihtenshtajni janë bërë palë e Statutit të GJND-së në këtë mënyrë. Në rastin e Zvicrës, për shembull, Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit deklaruan se mund te bëhet palë e Statutit të GJND-së, nëse i pranon dispozitat e këtij Statuti, i pranon të gjitha detyrimet si anëtar i OKB-së sipas nenit 94126 të Kartës, si dhe pajtohet të paguajë një shumë për harxhimet e Gjykatës. Kemi disa raste që janë shqyrtuar në Gjykatë para se ato shtete të bëhen anëtarë të OKB-së si: Shqipëria, me procesin e Kanalit të Korfuzit (1949), Italia, me procesin e Arit Monetar (1945), RF e Gjermanisë në procesin e shelfit kontinental të Detit të Veriut (1969). Sipas Kartës së OKB-së, të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara janë de facto palë e Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në raste kur një shtet nuk është anëtarë i OKB-së, por është palë në ndonjë çështje, Gjykata cakton pjesën e shpenzimeve të saj që do të paguajë shteti që merr pjesë në procesin gjyqësor, pra shteti që paraqitet si palë në këtë rast. Në rast se kemi mosmarrëveshje për ndonjë çështje, nëse Gjykata është ose jo kompetente, për këtë vendos Gjykata. Fakti se vetëm shtetet mund t’i drejtohen Gjykatës, nuk do të thotë që gjykata ka juridiksionin për të zgjidhur një mosmarrëveshje ndërmjet tij dhe shtetit tjetër me të drejtë për t’iu drejtuar Gjykatës. Çështja për t’iu drejtuar Gjykatës është e ndarë nga çështja, nëse Gjykata ka apo nuk ka juridiksion për një mosmarrëveshje që paraqitet përpara saj për shqyrtim. Gjykata mund t’u kërkojë organizatave publike ndërkombëtare informacion lidhur me çështje që janë parashtruar Gjykatës dhe do t’i marrë informatat lidhur me këto çështje kur këto t’i paraqiteshin nga këto organizata me iniciativën e tyre. Në këto raste, organizatat ndërkombëtare nuk bëhen palë e rastit konkret. 

ORGANIZIMI I GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: të zgjedhur pa dallim shtetësie, midis personave me veti morale të larta dhe që kanë në vetvete cilësitë e kërkuara për të ushtruar funksionet më të larta gjyqësore në vendet e tyre përkatëse, ose janë konsulentë juridikë me kompetenca të njohura në të drejtën ndërkombëtare.
95 Anëtarët e Gjykatës zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme dhe nga Këshilli i Sigurimit, në bazë të një liste personash të paraqitur nga grupet kombëtare në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit. Shtetet, të cilët nuk kanë përfaqësues në Gjykatën e përhershme të arbitrazhit, kandidimin e grupet kombëtare të caktuara për këtë qëllim, me të njëjtat kushte me ato që parashikohen për anëtarët e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, në bazë të nenit 44 të Konventës së Hagës të vitit 1907 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
96 Sipas Statutit të GJND-së, personat që do të bëjnë pjesë në Gjykatë, përveç përmbushjes së kushteve personale dhe cilësive të kërkuara, urdhëron që me rastin e zgjedhjes së gjyqtarëve të sigurojnë “në përgjithësi përfaqësimin e formave të mëdha të qytetërimit dhe sistemeve juridike kryesore”. 97 Nga pikëpamja praktike dhe politike, në gjykatë përfshihet një gjyqtar prej secilit prej pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. 98 Kandidatët, të cilët kanë fituar shumicën absolute të votave në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit, konsiderohen si të zgjedhur si gjyqtarë në GJND. Nga pesëmbëdhjetë gjyqtarët, anëtarë të gjykatës, asnjë rast nuk mund të jenë dy gjyqtarë nga një shtet. Në rast se fitojnë shumicën absolute të votave, më shumë se një shtetas i një vendi i zgjedhur, do konsiderohet kandidati më i vjetër në moshë. 101 Gjatë ushtrimit të funksionit të tyre, anëtarët e gjykatës gëzojnë privilegje dhe imunitet diplomatik. 102 Anëtari i gjykatës nuk mund të pushohet, vetëm në rast se gjykatësit e tjerë njëzëri mendojnë se ai nuk i plotëson më kushtet e kërkuara. 103 Mandati i gjyqtarëve të GJND-së është nëntëvjeçar, me të drejtë të rizgjedhjes. 104 Para se të fillojë detyrën, çdo anëtarë i gjykatës shprehet solemnisht: “deklaroj solemnisht se do t’i kryej detyrat dhe kompetencat e mia me nder, me besnikëri dhe ndërgjegje”. 105 Me qëllim që të ruhet vazhdimësia e Gjykatës, është paraparë që një e treta e gjyqtarëve të zgjidhen për çdo tri vjet.106 Zgjedhjet e para të Gjykatës u bënë në vitin 1946 dhe atëherë u përcaktua me short afati i veprimtarisë së gjyqtarëve (5 për 9 vjet, 5 për 6 vjet dhe pesë për 3 vjet. 107 Anëtari i Gjykatës mund të pushohet nga funksioni i tij si gjyqtar, nëse anëtarët e tjerë të Gjykatës mendojnë njëzëri, se ai më nuk i plotëson kushtet e kërkuara. Në këtë rast, Sekretari i Gjykatës, njofton zyrtarisht Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.108 Anëtarët e Gjykatës, nuk mund të ushtrojnë ndonjë funksion politik ose administrative, ose të merren me ndonjë lloj profesioni tjetër, nuk mund të ushtrojnë funksionin e këshilltarit ose avokatit në çfarëdo çështje dhe as nuk mund të marrin pjesë në zgjidhjen e çfarëdo çështje, në të cilën ata kanë marrë pjesë më parë si përfaqësues, këshilltarë ose avokatë për njërën nga palët, si anëtarë i një gjykate kombëtare e ndërkombëtare, ose të ndonjë komisioni hetimor, ose me çdo cilësi tjetër. 109 Gjykata zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e saj më mandate tre vjeçar, me te drejtë rizgjedhjeje. Gjykata emëron Sekretarin si dhe bën emërimin e nëpunësve të tjerë, sipas nevojës. 110 Sekretari i Gjykatës, ka mandat shtatë vjeçar.111 Njesoj si anëtarët e Gjykatës, edhe Sekretari i Gjykatës, duhet të bëj deklaratë solemne “deklaroj solemnisht se di t’i kryej detyrat e mia si Sekretar i GJND-së me besnikëri, mature dhe ndërgjegje të pastër. Selia e GJND-së ndodhet në Hagë. Megjithatë, gjykata mund të mblidhet e të ushtrojë funksionet e saj dhe në ndonjë vend tjetër, nëse e sheh të arsyeshme. 113 Gjykata ushtron funksionet e saj në mbledhje plenare dhe për kuorum mjaftojnë nëntë gjyqtarë. 

114 Gjykata mund të formojë në çdo kohë një ose më shumë këshilla gjyqësore prej të paktën tre gjyqtarësh, sipas vendimit që do të marrë.115 Vendimet e dhëna nga këto këshilla gjyqësorë kanë vlerën sikur t’i ketë dhënë vetë Gjykata.116 Për herë të parë një këshill i këtillë gjyqësor është formuar në qershor të vitit 1993 për çështje nga fusha e ambientit jetësor.117 Gjykata “mundet në çdo kohë” të krijojë ad hoc këshillë gjyqësorë, për të trajtuar një çështje të caktuar. Në këto raste, numri i gjyqtarëve caktohet nga Gjykata me pëlqimin e palëve.118 Gjithashtu, Gjykata mund të formojë këshilla gjyqësorë për zgjidhjen e shpejtë të çështjeve. Këto këshilla gjyqësorë, Gjykata i krijon çdo vit, detyrë e të cilëve është marrja e vendimeve me procedurë të thjeshtësuar, kur këtë e kërkojnë palët.119 Deri në vitin 1982, çdo mosmarrëveshje që i është kaluar GJND-së për shqyrtim, është shqyrtuar nga një juri e plotë e përbërë nga 15,16 ose 17 gjyqtarë. Shembulli i parë i kësaj procedure ishte Procesi i Gjirit të Manit (Kanada kundër SHBA-së), viti 1982, në të cilin gjykoi një këshill i përbërë nga pesë gjyqtarë, Procesi rreth mosmarrëveshjeve kufitare (Burkina Faso kundër Malit), viti 1985, Procesi rreth mosmarrëveshjeve për kufirin tokësor, ishullor dhe detar (Salvadori kundër Hondurasit) viti 1987, Procesi i Elettonica Sicula (SHBA, kundër Italisë), viti 1989 dhe kërkesë për rishikimin e vendimit gjyqësor të 11 shtatorit 1992, në procesin e mosmarrëveshjes për kufirin tokësor, ishullor dhe detar (Salvadori kundër Hondurasit), viti 2003.120 Në çështjen, Procesi i Gjirit të Manit (Kanada kundër SHBA-së), viti 1992, palët në mosmarrëveshje, me marrëveshje mes tyre, vendosën për numrin e gjyqtarëve dhe gjyqtarët, të cilët do përbënin këshillin gjyqësorë. Gjithashtu, ato u pajtuan se në rast se nuk i pranon propozimet e tyre për zgjedhjen e gjyqtarëve, ato të tërheqin lëndën nga Gjykata dhe t’ia dorëzojnë gjyqit të arbitrazhit të përbërë po nga ato pesë gjyqtarë.121 Në këtë rast, vetë Gjykata “votoi” për zgjedhjen e atyre pesë gjyqtarëve.
Në Gjykatë mund të marrin pjesë gjyqtarët, edhe kur janë shtetas të cilësdopalë në mosmarrëveshje. Në rast se njëra nga palët, nuk ka një shtetas të vetin në trupin gjykues, atëherë për të siguruar barazinë e palëve, mund të vendoset që gjyqtari të mos marrë pjesë në zgjidhjen e atij rasti, ose t’i jepet mundësia palës tjetër që të emërojë një gjyqtar ad hoc, për t’u siguruar barazia mes palëve.122 Kështu ka ndodhur, në rastin e shqyrtimit, në GJND-së, të konfliktit midis Shqipërisë dhe Anglisë lidhur me incidentin e Kanalit të Korfuzit më 1946. Meqenëse në përbërje të Gjykatës në atë kohë ndodhej një shtetas britanik, Shqipërisë iu njoh e drejta të caktonte një gjyqtar ad hoc, gjë që e çoi përbërjen e Gjykatës, gjatë gjithë kohës së shqyrtimit të konfliktit në fjalë, në 16 veta.123 Për ushtrimin e funksionit të tyre, anëtarët e Gjykatës, marrin rrogë vjetore, ndërsa gjyqtarët e caktuar ad hoc, marrin honorarë për ditët, në të cilat kanë qenë të angazhuar. Shumën e rrogës e cakton Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe ajo nuk mund të ulet gjatë kohës, në të cilën gjyqtarët ushtrojnë funksionin e tyre.
RASTI MAQEDONO-GREK
Republika e Maqedonisë, para vitit 1991, ishte një ndër gjashtë republikat e Federatës së Jugosllavisë. Si njëra ndër këto gjashtë republika, ajo mbante emrin Republika Socialiste e Maqedonisë. Ajo do të shkëputet nga Federata Jugosllave në mënyrë paqësore dhe pa luftë. Më 25 janar 1991, Parlamenti i Maqedonisë, do të miratojë Deklaratën për Sovranitetin e Republikës Socialiste të Maqedonisë. 
Më 7 qershor 1991, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë do të miratojë një amendament kushtetues, me të cilin do të ndryshohet emri “Republika socialiste e Maqedonisë” për t’u zëvendësuar me “Republika e Maqedonisë”, emër të cilit vazhdon të ketë edhe sot. 
Më 8 shtator 1991 do të mbahet referendum për shtet të pavarur dhe sovran, ku 71% e popullsisë do ta mbështesë këtë. 
Më 17 nëntor 1991, Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Sipas kësaj kushtetute, vendi nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë vendi fqinj. Shpallja e pavarësisë së Maqedonisë do të njihet edhe nga Komisioni i Badinterit, ku Maqedonia kishte aplikuar për njohje në dhjetor 1991. 
Në 22 korrik 1992, Republika e Maqedonisë, do të parashtrojë kërkesë për t’u anëtarësuar në OKB. Kërkesa për pranim në OKB, do të kundërshtohet nga Greqia, e cila si arsye për kundërshtim do të theksojë emrin “ Republikë e Maqedonisë”. Sipas Greqisë, emri “Maqedoni” i referohet një rajoni gjeografik në Evropën jug-lindore, që përfshin një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe popullit të saj, përvetëson një pjesë të trashëgimisë helene, si dhe ka interes në pjesën veriore të Greqisë. Kërkesa e Maqedonisë për t’u pranuar në OKB, si rezultat i kundërshtimit të Greqisë, do të vonojë deri më 8 prill 1993, ku AP me rekomandim të KS, do të marrë vendim për pranim të Republikës së Maqedonisë në OKB me referencën ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. 
Më 18 qershor 1993, KS miraton rezolutën 845, ku kërkohet nga palët që të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen lidhur me emrin nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Për shkak të emrit të shtetit dhe flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë, në vitin 1993, Greqia do vendosë një embargo të përgjithshme tregtare për Maqedoninë. Bllokada tregtare ishte në fuqi deri më 18 tetor 1995, kohë deri sa Maqedonia të ndryshojë flamurin shtetëror. 
Më 13 shtator 1995, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Cyrus Vance dhe me ndihmën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan Richard Holbrooke, Maqedonia dhe Greqia do të nënshkruajnë një Marrëveshje të Përkohshme, me të cilën do të normalizohet marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve. Në Marrëveshjen e Përkohshme, palët, Maqedonia dhe Greqia, do t’i shmangeshin përdorimit të emrave të tyre. Marrëveshja e Përkohshme palëve do t’u referohet si “pala e pjesës së parë” dhe “pala e pjesës së dytë”. 
Marrëveshja e Përkohshme parashihte që emri të jetë lëndë që do të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve dypalëshe në përputhje më rezolutat e KS të OKB-së. Qëllimi i bisedimeve ishte që t’i jepej fund përdorimit të këtij emri të përkohshëm (IRJM) dhe të gjendej një emër tjetër “ i pranuar nga të dyja palët”. Greqia, sipas Marrëveshjes së Përkohshme, nuk do të bllokonte anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare, në të cilat ajo do të bënte pjesë, përderisa në ato organizata Maqedonisë i referoheshin si “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Me Marrëveshjen e Përkohshme, palët do të pajtohen, që në rast se njëra palë beson se simbolet që përbëjnë pjesë të trashëgimisë së tyre historike apo kulturore, përdoren nga pala tjetër, atëherë pala përgjegjëse do të marrë masa të duhura korrigjuese, apo të shpjegojë se pse nuk e sheh të arsyeshme që të bëj një gjë të tillë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Përkohshme, do të vijojnë bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në vitin 1999, Mathew Nimitz do të jetë ndërmjetësuesi i ri i OKB-së, për të ndërmjetësuar në këtë mosmarrëveshje. Që atëherë, bisedimet janë zvarritur, herë më intensivisht e herë jo, ndërsa herë Greqia e herë Maqedonia, kanë treguar më shumë fleksibilitet. Nimitz, ka bërë një sërë propozimesh, por asnjëherë nuk ka arritur që të bashkojë të dy palët në të njëjtën platformë. Në mars, 2005, Nimetz do iu sugjerojë palëve që emri për përdorim në OKB të jetë “Republika Makedonija- Skopje” në maqedonisht dhe, të mos të përkthehet në asnjë gjuhë tjetër. Një propozim i këtillë do të jetë i pranueshëm për palën greke, por do të kundërshtohet nga pala maqedone. Pala maqedone, zgjidhjen e kësaj çëshjtje e shihte nëpërmjet të një të ashtuquajture “formulë e dyfishtë”, sipas së cilës Maqedonia duhet të ketë një emër të pajtueshëm për Greqinë në marrëdhëniet dypalëshe, por në marrëdhëniet ndërkombëtare të mbajë emrin kushtetues “ Republika e Maqedonisë”. Ky propozim, do të jetë propozim zyrtar i palës maqedonase, por që do të kundërshtohet nga Greqia. Përpjekjet e ndërmjetësit Nimetz, për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis palëve do të vazhdojnë. Ai në tetor 2005, do të bëjë një propozim tjetër për zgjidhjen e çështjes se emrit. Propozimi i tij parashihte që Maqedonia më marrëdhëniet me Greqinë, të mbante emrin “Republika e Maqedonisë- Shkupi”, ndërsa në marrëdhëniet me shtetet tjera që e kanë njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, të mbajë emrin “ Republika e Maqedonisë” dhe, në kuadër të OKB-së, të njihet me emrin “Republika Makedonija”.
Prej vitit 2006 e këtej, do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur zgjidhje rreth çështjes së emrit, por bisedimet që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar në një atmosferë jo të relaksuar. Një pjesë e përgjegjësisë për krijimin e një atmosfere të tillë, e ka edhe pala maqedonase, Qeveria e së cilës në korrik 2007 do të emërojë Aeroportin e Shkupit me emrin e Aleksandrit të Madh. Ky veprim i palës maqedonase do të ta nxisë palën greke për të reaguar. Sipas palës greke ky veprim i palës maqedonase, përbënte shkelje të Marrëveshjes së Përkohshme. U raportua se Nimetz e kishte paralajmëruar palën maqedonase se si rezultat i këtij veprimi, Greqia do të mund të tërhiqej nga Marrëveshja e Përkohshme, por kjo këshillë për kujdes nuk u mor parasysh. Edhe pse Maqedonisë i rekomandohej që të ndërpresë këto aktivitete, që për palën greke përbënin vërtetë një provokim, Maqedonia nuk do të ndalet me kaq, ajo do vendosë disa statuja të kohës klasike përpara ndërtesës së Qeverisë së saj. Këto provokime, të cilat vinin nga pala maqedone, do të kontribuojnë në ngritjen e çështjes së emrit të Maqedonisë në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare në Greqi, në shtator 2007. Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis,u përgjigj, duke premtuar se “Shkupi nuk do t’i bashkëngjitet asnjë organizate ndërkombëtare, përfshirë dhe NATO-n dhe BE-në, nëse nuk gjendet një zgjidhje mbi emrin që është e pëlqyeshme për të dyja palët”. Pala greke do të vazhdojë me paralajmërimet se, nëse nuk arrihet të gjendet një zgjidhje për emrin, ajo do të jetë e gatshme të vendosë veton e saj kundër hyrjes së Maqedonisë në NATO. Sipas palës greke, ky ishte momenti i duhur dhe i përshtatshëm për të për të bërë presion që mos të zvarritet më tepër kjo çështje. Duke pasur parasysh drojën se Greqia mund të përdorë veton, ndërmjetësuesi Nimetz, do të mundohet që të zgjidhë mosmarrëveshjen para Samitit të Bukureshtit, që pritej të mbahej në prill 2008, por këto orvatje të tij do të rezultojnë pa dhënë ndonjë rezultat. Pala maqedonase do të pajtohet që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit të jetë si “Republika e Maqedonisë (Shkupi), një zgjidhje kjo që pak a shumë Greqia e kishte pranuar në vitin 2005. Duke e parë veten në një pozitë shumë më të fuqishme, Greqia do të refuzojë këtë ofertë, duke insistuar në veçanti që emri i pajtuar të aplikohet në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë, bilaterale dhe multilaterale.Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Schefer, do të bëjë përpjekje për të dekurajuar grekët dhe për t’i paralajmëruar ato mbi pasojat për stabilitetin rajonal, nëse nuk arrihet një marrëveshje. Para Samitit të Bukureshtit, një numër diplomatësh, do të përpiqen që të motivojnë palët për të arritur një marrëveshje rreth emrit. Në Samitin e Bukureshtit, Maqedonisë nuk do t’i bëhet ftesë për anëtarësim në NATO. Por, do i bëhej me dije se ftesa Maqedonisë do t’i dorëzohej, pasi të arrihej një marrëveshje për çështjen e emrit midis palëve. Më 8 tetor 2008, në vazhdën e përpjekjeve për të afruar palët, ndërmjetësuesi Nimetz do të bëjë propozime të tjera për zgjidhjen e emrit. “Republika Veriore e Maqedonisë” do ishte një variant për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje.Mirëpo, ky propozim do të kundërshtohej nga ana e Maqedonisë. Pala maqedone do të mbajë qëndrim se nuk mund të pranojë zgjidhje për emrin, e cila nuk garanton identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Pas Samitit të Bukureshtit, më 17 nëntor 2008, Maqedonia, do të depozitojë një kërkesë në Regjistrin e GJND-së, me të cilën do të paditet Greqia për mosmarrëveshjen lidhur me interpretimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Përkohshme. Sipas qëndrimit zyrtar të palës maqedone, qëllimi i kësaj kërkese depozituar Gjykatës, kishte si qëllim që të urdhërohet Greqia t’i respektojë detyrimet e saj juridike të parapara me Marrëveshjen e Përkohshme, të nënshkruar më 13 shtator 1995, e cila krijon detyrime për të dyja palët. Pala maqedonase kujtonte, se në pajtim me nenin 11 të Marrëveshjes së Përkohshme, Greqia obligohet të mos ankohet ndaj paraqitjes për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO. Sipas palës maqedone, Greqia kishte penguar me pa të drejtë gjatë Samitit të Bukureshtit dërgimin e ftesës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, me çka, në mënyrë flagrante, ajo cenoi obligimet e saj që burojnë nga Marrëveshja e Përkohshme. Në kërkesë theksohej se GJND-ja duhet të vërtetojë dhe të deklarojë se Greqia ka shkelur obligimet e saj nga neni 11, paragrafi 1 i Marrëveshjes së Përkohshme dhe duhet të urdhërojë menjëherë t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në drejtim të respektimit të detyrave të saj, të ndërpresë, të përmbahet nga çfarëdo kundërshtimi, direkt ose indirekt, ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe/ose në cilatëdo organizata të tjera ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale dhe institucionale, në të cilat ajo është anëtare, nëse në organizatat ose institucionet e këtilla, Maqedonia quhet në pajtim me paragrafin 2 të paraqitur me Rezolutën 817 të vitit 1993 të KS të OKB-së. GJND-ja, pasi pranoi kërkesën e palës maqedone, do të njoftojë palën greke për padinë që kishte ngritur pala maqedone kundër saj. GJND-ja do të fillojë zyrtarisht procedura për të shqyrtimin e rastit lidhur me padinë e që kishte ngritur Maqedonia dhe, do të caktojë afatet e paraqitjes së dokumentacionit nga ana e palëve. 
Më 1 korrik 2009, duhej që pala maqedone të paraqiste një Përkujtesë përpara Gjykatës, ndërsa pala greke, duhej të paraqitej më 20 janar 2010 me një Kundër- Përkujtesë. Rasti do të gjykohej nga gjyqtarët e shteteve të ndryshme si:Kryetari Owada, zëvendës kryetari Tomka, Gjyqtarët: Judges Koroma, Al Khasawneh, Simma, Abraham, Keith, Sepúlveda-Amor, Bennouna, Skotnikov, Cançado Trindade, Yusuf, Greenwood, Xue, Donoghue ,gjyqtarët ad hoc Vucas për palën maqedone dhe Roucounas për palen greke. Pasi përfunduan këto veprime të të dy qeverive, të Maqedonisë dhe Greqisë, më 21 shkurt 2011, do të fillonin seancat publike lidhur me këtë rast. Antonio Milloshovski do të paraqesë qëndrimin e palës maqedone. Në diskutimin para Gjykatës, ai paraqet një vështrim kronologjik të marrëdhënieve maqedono-greke dhe origjinën e mosmarrëveshjes, duke shpalosur në këtë mënyrë disa nga argumentet e palës maqedone se me të vërtetë është cenuar neni 11 i Marrëveshjes së Përkohshme të 13 shtatorit 1995, me rastin e bllokimit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO me referencën ish-federata Jugosllave e Maqedonisë, nga ana e Greqisë. Në diskutimet e tyre, avokatët e angazhuar nga pala maqedone, do të përqendrohen në atë, se nuk mbajnë dhe janë të paqëndrueshme argumentet e palës greke për bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Profesori Pjer Klain, do të shprehej se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është penguar me pa të drejtë dhe se pak kohë para samitit të Bukureshtit, përfaqësuesit zyrtar grek janë mburrur se vetoja do të ndodhë, me çka është shkelura neni 11 i Marrëveshjes së Përkohshme. Ai gjithashtu do të shprehej: “Kërkojmë që të vërtetohet shkelja e nenit 11 nga Marrëveshja e Përkohshme, e cila do ketë ndikim dhe parashtruesi i kërkesës, në këtë rast, Maqedonisë përsëri do t’i mundësohet statusi kandidat për anëtarësim në NATO, pa pasur nevojë të ballafaqohet me kundërshtim të kërkesës së saj dhe, kandidatura e Maqedonisë për aderim në NATO të shqyrtohet pa përfshirjen e palës greke”. Në diskutim për të shfaqur argumentet e palës maqedone, gjithashtu do të paraqitet edhe Shon Marfi, i cili do të theksojë se Greqia në mënyrë sistematike, në mënyrë shumë të hapur është munduar të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe se kjo dëshmohet nëse analizohet sjellja e Greqisë gjatë viteve 2007-2008, kur nëpërmjet një fushate të hapur në nivel multilateral, ka tentuar të bindë vendet tjera anëtare të NATO-së me qëndrimin e saj. Ai më tej do të shprehej: “Funksionarë të lartë grekë janë mburrur se kanë vënë veto, me çka dëshmohet se pala e paditur, në këtë rast Greqia ka ndaluar konsensusin e NATOsë me qëllim të kundërshtimit të Maqedonisë. Megjithatë sjellja e Greqisë, siç është paraqitur në detaje në argumentet tona, tregon se pikërisht Greqia ka bërë këtë shkelje të Marrëveshjes së Përkohshme”. Në argumentimin e çështjes para Gjykatës, pala maqedone nuk do të lëvizë nga qëndrimi se veprimet e palës greke përbënin shkelje të Marrëveshjes së Përkohshme, më saktësisht shkelje të parimit të njohur të së drejtës ndërkombëtare, Më 24 dhe 25 mars 2011, pala greke do të paraqesë argumentet e saj para Gjykatës. Është Maria Talalian, në cilësinë e agjentit që do të paraqesë argumentet e palës greke. Në diskutimin e saj, ajo do të përqendrohet në atë, se Maqedonia është ajo, e cila e ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme. Vendimi i Samitit të NATO-së në Bukuresht, në vitin 2008, sipas saj, njëzëri është miratuar nga Aleanca dhe, për këtë arsye, meqë NATO nuk është palë në këtë proces, Gjykata nuk ka juridiksion për të shqyrtuar çështjen dhe duhet te shpallet jokompetente për lëndën. Sipas saj, në Samitin e Bukureshtit, ishte lënë mundësia që edhe Maqedonia të përfshihej në këtë organizatë, por vetëm pasi të kishte zgjidhur mosmarrëveshjen lidhur me emrin e saj. Më tej, ajo do të theksojë se lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, pala greke ka qenë shume fleksibile, duke pranuar në shtator 2007 një emër të përbërë ku përfshihej termi “Maqedoni”, por që duhej t’i shtohej një prefiks gjeografik. Në anën tjetër, pala maqedone, është përpjekur që bisedimet të ngecin në pikën e vdekur dhe kjo arsyetohej me këmbënguljen e saj që të mos lëvizë nga e ashtuquajtura “formulë e dyfishtë”, pra përdorimin e emrit kushtetues Republika e Maqedonisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare dhe marrëdhëniet dypalëshe me të gjitha shtetet, dhe për të gjetur një kompromis me palën greke dhe marrëdhëniet me të. Në diskutimin e saj, ajo gjithashtu do të bëjë përpjekje për të argumentuar se është Republika e Maqedonisë ajo që ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme. Në këtë drejtim, ajo do të theksojë: se qëllimi i Marrëveshjes së Përkohshme ka qenë për të penguar irredentizmin evident të palës maqedone për përvetësimin e termit “Maqedoni” si dhe për të ndërprerë veprimet e Maqedonisë për në dëm të historisë dhe kulturës greke Me diskutim para Gjykatës, në kuadër të palës greke, do të paraqiten George Savvaides, i cili në paraqitjen e tij në mes tjerash do të theksojë se në Samitin e Bukureshtit, vendimi për të shtirë ftesën për anëtarësim të Maqedonisë, ishte vendim kolektiv i NATO-së. Ai, gjithashtu do të shpjegojë para Gjykatës, në cilësinë e agjentit të Greqisë, edhe për procedurat dhe kriteret, që duhet ndjekur për anëtarësim në NATO dhe si janë aplikuar në rastin me Maqedoninë. Gjithashtu, me diskutim para Gjykatës nga pala greke, do të paraqiten: Georges AbiSaab, i cili do të përqëndrohet në diskutimin e tij kryesisht në karakteristikat themelore të Marrëveshjes së Përkohshme, Michael Resman për të sqaruar çështjen e juridiksionit të Gjykatës lidhur me këtë rast, Alain Topth do të paraqesë vërejtjet e palës greke në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës së Maqedonisë dhe të funksionit gjyqësorë të Gjykatës dhe James Craword do të paraqesë pozicionin e Greqisë lidhur me interpretimin e paragrafit 1 të nenit 11 të Marrëveshjes së Përkohshme. Pra, gjatë 24 dhe 25 marsit 2011, pala greke do të përpiqet të argumentojë para Gjykatës, nëse është Maqedonia ajo që ka shkelur dispozitat e Marrëveshjes së Përkohëshme dhe, pikërisht nenin 6 paragrafi 2, në të cilin theksohej “Kushtetuta maqedone nuk mund të shërbente si bazë për ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve për të mbrojtur statusin dhe interesat" e pakicave kombëtare. Pala greke ankohej për mbështetjen që qeveria e Maqedonisë u kishte dhënë refugjatëve apo pjesëtarëve të pakicës maqedone që jetonte në Greqi, që ishin dëbuar ose larguar nga Greqia gjatë Luftës Civile greke në vitin 1940. Ajo ankohej edhe me mbështetjen që Qeveria e Maqedonisë i jepte pakicës maqedone që jetonte në Greqi. Është me rëndësi të theksohet se në këtë proces gjyqësor, të dyja palët kishin të angazhuar një ekip tepër profesional për të argumentuar çështjen. Më 30 mars 2011, pala greke edhe njëherë do të kërkojë nga Gjykata që të deklarojë se: rasti i paraqitur nga Maqedonia para Gjykatës nuk është nën juridiksionin e saj dhe, se pretendimet e Maqedonisë, janë të papranueshme. Gjithashtu, ajo do të kërkojë që në rast se Gjykata konstaton se ka juridiksion, të shprehet në favor të saj, duke hedhur poshtë pretendimet e Maqedonisë dhe duke i konsideruar ato si të pabaza. Më 5 dhjetor 2011, Gjykata do të shpallë vendimin e saj lidhur me këtë rast. Gjykata, së pari, vendosi se: 
1- çështja ishte në kompetencë të saj, çka ishte kërkuar nga pala maqedone më parë, por ishte kundërshtuar nga pala greke. Kjo pjesë e vendimit, u miratua me 14 vota pro dhe 2 kundër.
2- Lidhur me kërkesën e parashtruar nga pala maqedone për të vërtetuar Gjykata se Greqia ka shkelur obligimet e saj nga neni 11, paragrafi 1 i Marrëveshjes së Përkohshme, Gjykata do të shprehej se me të vërtetë Greqia kishte shkelur nenin 11, paragrafi 1 të kësaj marrëveshje, në kohën kur Maqedonia kishte kërkuar të anëtarësohej në NATO. Lidhur me këtë çështje, vendimi do të votohet me 15 vota pro dhe 2 kundër.
3- Kërkesa e tretë e palës maqedone që Gjykata të urdhërojë Greqinë që të mos përsërisë në të ardhmen veprime të këtilla do të hidhet poshtë. Sipas Gjykatës, një urdhër i tillë ishte i pavend, pasi: “si rregull i përgjithshëm, nuk mund të supozohet se një shtet i cili, në bazë të vendimit të Gjykatës, ka vepruar gabim apo në mënyrë të papranueshme para së drejtës ndërkombëtare, do të përsërisë edhe në të ardhmen një akt ose një sjellje të tillë, pasi çdo shtet prezumohet se do të sillet me mirëbesimi.
4- Gjykata gjithashtu do të shprehet se para Samitit të Bukureshtit, nuk kishte pasur shkelje të nenit 6, paragrafi 2 të Marrëveshjes së Përkohshme dhe, kësisoj, do të hedhë poshtë një pretendim të palës greke.
5- Në anën tjetër, Gjykata do të konstatojë se pala maqedone kishte shkelur në një rast nenin 7, paragrafi 2 i Marrëveshjes së Përkohshme, që ndalonte veprimet armiqësore ose propagandën midis palëve, kur një njësi ushtarake e saj, kishte përdorur një simbol të ndaluar në flamurin e saj

Comments

Popular posts from this blog

Ismail Qemali, rilindësi që finalizoi kauzën e shqiptarëve