E TMERRSHME: NËNA U LUTET KOMUNISTËVE: VRITNJE, KENI MËSHIRË PËR TÊ E MOS E LENI ME VUEJTË MA KËSHTU…




Pse ishin shumë të rëndësishëm Dom Lazër Shantoja e Sulce beg Bushati për Enver Hoxhën. Dokumentet që zbardhin urdhrat e ekzekutimit.


Arrestimi, torturat çnjerëzore e më pas ekzekutimi i Dom Lazër Shantojës, një prej martirëve të shpallur para disa muajve nga Vatikani, është një prej rasteve më të përgjakshme të krimeve të komunizmit.


Tre telegrame që i takojnë muajve të ferrit të 1945, gjatë operacionit të shfarosjes së gjithë kundërshtarëve të regjimit në veri të Shqipërisë, zbardhin disa prej nuancave të panjohura të historisë së përgjakshme të Dom Lazër Shantojës.


Dokumentet ruhen në AQSH në një dosje të fondit të Partisë Komuniste, të vitit 1945 dhe dëshmojnë momentin pas arrestimit, dhënien e dënimit me vdekje, aprovimin dhe njoftimin e ekzekutimit. Detajet e këtyre dokumenteve duhen marrë si më të saktat e kësaj ngjarjeje, pasi nënshkruhen nga vetë Enver Hoxha, e Spiro Moisiu, të cilët e cilësonin çështjen e ekzekutimit të Dom Lazrit si të një rëndësie të veçantë e janë kujdesur nga afër për çdo detaj të këtij krimi.


Në dokumentin e  parë shkruhet:


“1 shkurt 1945


Tepër urgjent.


Mehmet Shehut, Shkodër.


Don Lazër Shantoja dhe Sulçe Begu (Bushati) duhet të dërgohen këtu stop. Çështje e tyre është e lidhur me gjithë punën e tradhëtis dhe çështjen e tyre kuptojmë kështu dhe ashtu duhet ta kuptosh dhe ti.


Gjeneral kolonel Enver Hoxha”


Në dokumentin e dytë shkruhet:


“ 10 shkurt 1945


Korpit 3 Gjykatës Ushtarake Shkodër”


Gjegje shkresës nr.5 d.2 frur 1945. Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Dom Lazër Shantojas dhe Sulçe Beg Bushatit stop. Na lajmoni datën e ekzekutimit.


Enver Hoxha.”


Në dokumentin e tretë shkruhet”


“dt.19 shkurt 1945


Mehmet Shehut


Gjegje telit nr.17. dt.17 shkurt 1945. Personat për internim i nisni këtu. Sulçe begu e Don Lazëri u ekzekutuen.


Gjeneral Spiro Mojsiu”


Sipas historisë që plotëson profilin e Dom Lazër Shantosë, publikuar nga kisha katolike e Shqipërisë,  klerikun shkodran, pas arrestimit e torturuan në mënyrë çnjerëzore. “I thyen krahët, i sharruan eshtrat e këmbëve, e ai ecte duke u hequr zvarrë mbi bërrylat e gjunjët. Xhelatët e kuq, për terror psikologjik të dyanshëm, e lejuan të ëmën ta vizitonte dhe plaka e mjerë, duke e parë të birin në atë gjendje, iu lut rojeve të burgut: “Vritnje, keni mëshirë për tê e mos e leni me vuejtë ma kështu!”.


Dhe ata nuk  vonuan ta vrisnin. E pushkatuan në fushat e shkreta të Tiranës, e flakën në një gropë pa emër, pa shenjë kryqi, duke shkruar me gjakun e tij një nga kapitujt më të turpshëm në librin e pashkruar të torturave, që komunistët nuk ngurruan të përdorin mbi kundërshtarët e vet, posaçërisht mbi klerikët, duke e ditur mirë se kishin përballë njerëz të armatosur vetëm me kulturë e uratë”. / TROJA.al

Comments

Popular posts from this blog

KOMPETENCAT E GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË DHE RASTI MAQEDONO-GREK

Ismail Qemali, rilindësi që finalizoi kauzën e shqiptarëve